Jimmy Donaldson, i njohur në mbarë botën si MrBeast, i ka dhënë fund beqarisë duke u martuar me partneren e tij prej vitesh, Thea Booysen, në një ceremoni private larg vëmendjes së publikut.

Sipas revistës “People”, çifti kurorëzoi dashurinë në ishullin ekskluziv Necker, pronë e miliarderit britanik Richard Branson, ku organizuan një festë intime me familjarët dhe miqtë më të afërt.

Ndryshe nga përmbajtja gjigante dhe sfidat spektakolare që e kanë bërë një nga krijuesit më të ndjekur në YouTube, MrBeast zgjodhi që dita më e rëndësishme e jetës së tij të zhvillohej në privatësi të plotë.

Në dasmë morën pjesë rreth 70 të ftuar, ndërsa festimet u shtrinë në disa ditë në atmosferë të qetë dhe relaksuese.

Për ditën e veçantë, Thea Booysen veshi një fustan elegant nusërie të dizenjuar nga Nicole Felicia, ndërsa MrBeast u paraqit me një smoking klasik nga Ralph Lauren. Pas ceremonisë së shkëmbimit të zotimeve, të ftuarit shijuan një darkë festive dhe muzikë live.

Historia e dashurisë së çiftit nisi në vitin 2022, kur u njohën në Afrikën e Jugut. Pak kohë më vonë ata e bënë publike lidhjen, ndërsa në Krishtlindjet e vitit 2024 MrBeast i propozoi martesë Theas.

Që prej fejesës, të dy kishin bërë të ditur se dëshironin një ceremoni të vogël dhe larg mediave, dëshirë që duket se e realizuan plotësisht me dasmën e tyre në një nga ishujt privatë më luksozë në botë.