Një shqiptar në New Jersey është bërë protagonist i një akti heroik. Është fjala për Xhemi Lanica, i cili ndihmoi në shpëtimin e një 70-vjeçari që rrezikonte të mbytej në ujërat e oqeanit.

Lanica, me origjinë nga Ulqini dhe emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej shtatë vitesh, tregoi momentet e vështira të ndërhyrjes dhe mënyrën se si, së bashku me disa shpëtimtarë të plazhit, arritën ta nxirrnin në breg 70-vjeçarin.

Ai ka thënë se nuk u mendua dy herë kur pa se jeta e personit ishte në rrezik. I rritur pranë detit, Lanica u përpoq të ndihmonte pavarësisht rrymave të forta të oqeanit dhe vështirësive të shkaktuara nga pesha e personit.

Pas pak çastesh, atij iu bashkuan edhe disa shpëtimtarë që punojnë në plazh. Pas rreth 15 minutash përpjekje dhe koordinimi, 70-vjeçari u nxor në breg.

“Me të vërtetë falënderoj Zotin që isha aty dhe që të mund të jepja një dorë për t’a ndihmuar. Në raste të tilla nuk ke pse të mendosh dy herë kur jeta e një personi tjetër është në rrezik”, ka thënë Xhemi Lanica.

Pas shpëtimit, shqiptari pati mundësi të komunikonte me 70-vjeçarin, i cili e falënderoi dhe i tha se për të ishte një “shans i dytë në jetë”.

Lanica theksoi se në këtë ndërhyrje nuk ishte vetëm ai që kontribuoi, por të gjithë personat e pranishëm ndihmuan në mënyrën e tyre, nga ata që jepnin instruksione deri te personat që tërhiqnin litarin.

“Humanizmi nuk ka kufi, nuk ka fe dhe nuk ka nacionalitet”, u shpreh ai.

Për Lanica-n, ngjarja është gjithashtu një shembull i anës pozitive të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, larg stereotipeve dhe lajmeve negative.

“Sot kemi doktorë, avokatë, njerëz me shkollim të lartë dhe po përfaqësohemi shumë mirë. Unë jam vërtet krenar për të gjithë shqiptarët dhe bashkatdhetarët e mi”, tha ai.