Një burrë nga Kanadaja, është shpallur fajtor për vrasjen e vajzës së tij 9-vjeçare, Melina. Luciano Frattolin mbyti të bijën në një kënetë në një zonë malore në verilindje të Nju Jorkut.

Sipas asaj që u zbulua gjatë gjyqit, Frattolin e kreu vrasjen për t’u hakmarrë ndaj ish-gruas së tij, Callie Galanis, e cila kishte kujdestarinë e vetme të vajzës.

Frattolin, biznesmen në industrinë e kafesë, vrau vajzën e tij në korrik të vitit 2025, ndërsa të dy ndodheshin me pushime së bashku. Pas vrasjes, ai e fshehu trupin e vajzës nën një shkëmb.

Më pas, babai sajoi historinë se Melina ishte rrëmbyer, duke shkaktuar aktivizimin e një alarmi dhe nisjen e një operacioni të gjerë policor për gjetjen e 9-vjeçares.

Frattolin tani përballet me burgim të përjetshëm për vrasje të shkallës së dytë dhe fshehje të një trupi.

“Jeta e shkurtër e Melinës mori një fund të dhunshëm”, tha prokurori i qarkut të Essexit, Michael Lange, gjatë seancës dëgjimore për dënimin të hënën. Frattolin shmangu shikimin e tij gjatë deklaratës.

“Gjithçka ishte e mbuluar me baltë. Flokët e saj të gjatë të zinj, ishin të mbuluar me dhe e bar”, deklaroi prokurori.

Jurisë iu desh vetëm një orë për të arritur në vendimin se Frattolin ishte fajtor.

Nëna e Melinës, Callie Galanis, kishte kujdestarinë e vetme të vajzës që prej vitit 2019, kur i dha fund lidhjes së saj në distancë me Frattolinin. Megjithatë, vitet e fundit ajo kishte lejuar Melinën të udhëtonte me të atin.

Gjatë dëshmisë së saj në gjykatë disa ditë më parë, nëna e 9-vjeçares tha se Melina nuk donte të udhëtonte jashtë vendit me të atin, konkretisht në Etiopi. “Ajo nuk donte të shkonte”, dëshmoi Galanis.

Ajo tha se vetë kishte filluar të ndihej gjithnjë e më shumë në ankth për këtë udhëtim, pasi kishte rezerva për lejimin e një udhëtimi jashtë vendit. Sipas saj, avokati e kishte paralajmëruar për raste kur prindër të ndarë i merrnin fëmijët jashtë vendit dhe më pas refuzonin t’i kthenin.

Galanis dëshmoi gjithashtu se Frattolin më vonë sugjeroi zgjatjen e kohëzgjatjes së udhëtimit në Etiopi.

Diskutimet që ajo pati me Melinën rreth udhëtimit e bindën përfundimisht që ta anulonte atë.

“Ndihesha në siklet. Nuk isha më dakord me të”, tha Galanis, duke folur për udhëtimin.

Pas anulimit të udhëtimit në Etiopi, Frattolin sugjeroi që Melina ta shoqëronte në një udhëtim në Connecticut dhe Nju Jork.

Por udhëtimi përfundoi në tragjedi.

Në ditën kur ata ishin planifikuar të ktheheshin në Quebec, ku jetonte nëna e saj, Frattolin vrau vajzën dhe më pas inskenoi rrëmbimin e saj, duke thirrur autoritetet dhe duke shkaktuar një operacion të madh kërkimi.

Tashmë, pas vendimit të jurisë, Luciano Frattolin përballet me burgim të përjetshëm për vrasjen e vajzës së tij 9-vjeçare dhe fshehjen e trupit të saj.