Një grua nga Kina është kthyer në qendër të vëmendjes pas një operacioni estetik të dështuar që e la të paaftë për të mbyllur plotësisht sytë, madje edhe gjatë gjumit.

Gruaja, e identifikuar vetëm me mbiemrin Wang, iu nënshtrua një ndërhyrjeje për qepallat në një klinikë estetike në vitin 2020. Menjëherë pas operacionit ajo nisi të përjetonte dhimbje të forta, ndërsa më vonë mjekët konstatuan se ndërhyrja i kishte shkaktuar dëmtime serioze, duke e lënë të paaftë të mbyllte sytë normalisht.

Sipas raportimeve, gruaja iu nënshtrua edhe operacioneve korrigjuese, por problemet vazhduan. Ajo ka deklaruar se jeton prej vitesh me lotim të vazhdueshëm të syve dhe vështirësi të mëdha në jetën e përditshme.

Historia mori një kthesë të papritur kur, pas një marrëveshjeje kompensimi me klinikën, familjarët e saj vazhduan të publikonin detaje të rastit në rrjetet sociale. Gjykata vendosi se ishte shkelur marrëveshja e konfidencialitetit dhe urdhëroi kthimin e një pjese të konsiderueshme të dëmshpërblimit të marrë më parë.

Rasti ka shkaktuar debat të madh në Kinë, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e procedurave estetike dhe kushtet që vendosen në marrëveshjet e kompensimit pas gabimeve mjekësore.