Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka ngritur një padi kundër gjigantit teknologjik Samsung Electronics, duke kërkuar 15 milionë dollarë dëmshpërblim. Sipas pretendimeve të saj, imazhi i artistes është përdorur pa autorizim në paketimet e disa modeleve televizorësh, duke shkelur të drejtat e saj të imazhit dhe pronësisë intelektuale.
Nga ana tjetër, Samsung ka hedhur poshtë akuzat për përdorim të qëllimshëm të fotografisë. Në reagimin e saj zyrtar, kompania sqaron se materiali vizual është përdorur bazuar në garancitë e një partneri të jashtëm, i cili kishte konfirmuar se të gjitha lejet e nevojshme për përdorim tregtar ishin marrë më parë.
“Fotografia është vendosur në paketim vetëm pasi kemi marrë siguri të plotë nga furnizuesi i përmbajtjes se të drejtat ishin të rregulluara. Për këtë arsye, nuk pranojmë pretendime për shkelje të qëllimshme,” thuhet në deklaratën e Samsung.
Ndërkohë, ekipi ligjor i Dua Lipës argumenton se imazhi i saj ka vazhduar të përdoret në produktet e kompanisë edhe pasi janë dërguar njoftime zyrtare për heqjen e menjëhershme të tij. Sipas tyre, mosreagimi në kohë nga ana e kompanisë është një element kyç që forcon pretendimin për shkelje të të drejtave të saj.



