Një burrë në Indonezi është arrestuar me akuzën e vrasjes së vjehrrës së tij duke përdorur shishqebap të spërkatur me helm për minjtë. Sipas policisë, 40-vjeçari Purwadi Wahiyudi porositi pulë satay, një pjatë tradicionale indoneziane që i ngjan shishqepabit më 18 maj, të cilën më pas e zhyti në kimikate toksike përpara se ta dërgonte në shtëpinë e vjehrrës së tij me shërbim shpërndarjeje.

Hetuesit thonë se burri e kreu aktin sepse mendonte se vjehrra nuk po e trajtonte me respektin e duhur, ndërsa u përpoq ta fajësonte kunatën e tij, pasi ajo ishte personi që gjeti trupin e 57-vjeçares së ndjerë, të identifikuar vetëm si Amina.

Sipas policisë, trupi i viktimës ishte i mbuluar me të vjella. Për rastin nisi hetimi pasi anëtarët e familjes kontaktuan policinë pas varrimit të gruas, duke shprehur dyshime se ajo kishte vdekur nga shkaqe natyrore. Vajza më e vogël e Aminës, Luriyandi Putri u tha hetuesve se nëna e saj e kishte informuar se kishte marrë një porosi me pulë satay nga një dërgues i panjohur një ditë para se të gjendej e vdekur.

Pasi trupi u zhvarros, testet mjeko-ligjore zbuluan shenja helmimi në shumicën e organeve jetësore të gruas, si dhe gjurmë kimikatesh toksike. Kreu i njësisë së hetimit penal të policisë së Boyolalit, Indrawan Wira Saputra, tha, sipas gazetës indoneziane Kompas, se kjo ishte një vrasje e planifikuar dhe e detajuar me kujdes. Purwadi Wahyudi është ndaluar dhe është identifikuar zyrtarisht si i dyshuar në këtë rast, por ende nuk është akuzuar për vrasje. Në Indonezi, një dënim për vrasje mund të sjellë dënimin me vdekje ose një minimum prej 20 vitesh burg.