Sot ishte hera e dytë që lokali në Currila i reperit të njohur, Noizy, u dogj nga flakët e qëllimshme, ndërsa Policia mundi të identifikojë dhe arrestojë autorin e ngjarjes.

Në prangat e policisë ka rënë shtetasi Eraldo Musteqja, kushëri me këngëtarit. 26-vjeçari i arrestuar rezulton të jetë autori i zjarrit të qëllimshëm të ditës së sotme, zjarrit të rënë në të njëjtin lokal më datë 11 qershor dhe zjarrit në derën e banesës së nënës së Noizyt më datë 10 qershor.

Në momentin e arrestimit, atij i është gjetur dhe sekuestruar një thikë. Për ngjarjen në fjalë ka reaguar vetë reperi, i cili në profilin e tij në “Instagram” ka postuar foton e të riut.

Noizy shprehet se Eraldo është rritur nga familja e tij dhe duket se ka qenë gjithmonë problematik, pasi që në fëmijëri ndryshoi fe dhe u bë besimtar ekstremist.

Madje, justifikimi i tij për zjarrvënien e qëllimshme kishte qenë ndalimi i alkoolit dhe muzikës, pasi janë haram.

Më pas Noizy ka publikuar një video në “Instastory”, ku Musteqja shfaqet në një makinë dhe dëgjohet të thotë se ‘do ja vendosë për herë të tretë’, duke iu referuar zjarrit të lokalit të reperit.

“Për ju që nuk besoni që është i sëmurë dhe ekstremist, këtu s’ka të bëjë cila fe, ky thjesht është bërë ekstremist dhe ka nevojë për ndihmë”, shkruan Noizy bashkëngjitur me videon.