Pastiçieri katalanas Marc Suárez ka shpenzuar katër muaj për të realizuar një tortë dasme prej 500 kilogramësh, një krijim monumental me 33 mijë petale prej paste sheqeri, i porositur nga një familje saudite për një dasmë mbretërore. Torta ishte 3,5 metra e lartë dhe 1,8 metra e gjerë dhe, më shumë sesa një ëmbëlsirë tradicionale dasme, ishte konceptuar për t’i ngjarë një vepre arti.

Suárez shpenzoi rreth një muaj e gjysmë vetëm për konceptimin e saj dhe katër muaj të tjerë për ta realizuar. Në total, projekti kërkoi rreth 1 mijë e 800 orë punë. Edhe pse zakonisht punon vetëm, për këtë porosi pastiçieri u detyrua të kërkonte ndihmën e kolegëve, miqve dhe familjarëve të tyre.
“Familjarë, miq dhe të njohur, të gjithë dhanë një dorë”, tregoi Suárez. “Zakonisht punoj vetëm, por këtë herë porosia ishte aq e madhe sa edhe me miqtë e mi pastiçierë nuk kishim fuqi punëtore të mjaftueshme”. Vetëm realizimi, lyerja dhe vendosja e 33 mijë petaleve kërkoi një angazhim të jashtëzakonshëm.
“M’u desh t’u kërkoja ndihmë nënave dhe baballarëve të miqve, të cilët na ndihmuan të krijonim 33 mijë petalet, t’i lyenim dhe t’i bashkonim me degët dhe lulet”, tha ai. Krijimi u prezantua në Opera Garnier në Paris, ku u zhvillua dasma e çiftit saudit, identiteti i të cilit nuk është bërë publik.
Sipas Suárez, të sapomartuarit “donin një tortë që të mos dukej si tortë, por si një lloj monumenti që do t’i bënte homazh ngjarjes” dhe ambientit madhështor ku zhvillohej ceremonia. Por detaji më i pazakontë lidhet me atë që fshihej pas përmasave gjigante: vetëm rreth 0,1% e krijimit ishte tortë e vërtetë. Pjesa tjetër e strukturës 500-kilogramëshe ishte realizuar kryesisht me pastë sheqeri të modeluar me dorë dhe çokollatë të bardhë.



