Startup-i teknologjik “Just Like M “ ka lançuar një shërbim chatbot-i që u lejon përdoruesve të tij të bisedojnë me një imazh digjital të Jezu Krishtit, për 1.99 dollarë në minutë. Sipas kompanisë, “Jesus AI” është një mentor modern i krijuar për të frymëzuar, udhëzuar dhe ngritur moralin te kushdo që kërkon mbështetje në jetën e tij të përditshme.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Chris Breed, shpjegoi se modeli i inteligjencës artificiale u trajnua mbi Biblën, si dhe predikimet nga priftërinj të ndryshëm. Ai sqaroi gjithashtu se chatbot-i nuk ka për qëllim të zëvendësojë besimin, klerin apo shkrimet e shenjta, por të ofrojë një “prani të dhembshur” për të ndihmuar njerëzit të përballen me sfidat e jetës.

Përdoruesit mund të bëjnë videothirrje me një avatar digjital të Jezusit, pamja e të cilit bazohet në performancën e aktorit Jonathon Roumie nga seriali televiziv i njohur ‘The Chosen’. Pavarësisht pretendimeve të kompanisë se aplikacioni i afron njerëzit me Zotin, pritja në mediat sociale ka qenë kryesisht negative, me shumë përdorues që e akuzojnë kompaninë për shfrytëzimin e besimtarëve naivë për përfitime financiare.

“Kjo është e ligë. Mund të flasësh me Jezusin e vërtetë falas kur të duash”, komentoi një përdorues në X. “1.99 në minutë? Duket sikur inflacioni ka goditur edhe rrëfimet ndaj Jezusit”, komentoi një tjetër me humor.