Prej 10 ditësh, Kalifornia është goditur nga stuhitë. Për këtë arsye, autoritet dje u kanë bërë thirrje banorëve të qytetit Montecito, ku jetojnë edhe shumë personazhe të famshëm, të largohen nga shtëpitë e tyre.

Ky qytet me pamje nga deti, i vendosur një orë e gjysmë me makinë në veri të Los Angeles, është shtëpia e yjeve të famshëm të Hollywood-it si Jennifer Aniston, Rob Lowe, Gwyneth Paltrow dhe prezantuesja televizive Oprah Winfrey në pallate shumë milionëshe, por edhe e Princ Harryt dhe Meghan Markle.

Mediat amerikane shkruajnë se ditën e djeshme në këtë zonë ranë deri në 20 centimetra reshje shiu, ku toka nuk mund të thithë më vëllimin e ujit pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit. Përveç kësaj, pesë vjet më parë një zjarr kishte djegur pemët në kodrat përreth qytetit, me pasojë rrezikun e rrëshqitjes së dheut.

Në 2017-18 një zjarr i madh kishte djegur 1100 kilometra katrorë bimësi në kodrat rreth Montecito. Pa pemë dhe shkurre për të mbajtur ujin, shirat e rrëmbyeshëm mund të shkaktojnë rrëshqitje jashtëzakonisht të rrezikshme dheu.

Dje, prezantuesja e famshme amerikane, Ellen DeGeneres, e cila jeton në Montecito, ka postuar një video në “Twitter” ku shfaqet një përrua.

“Është çmenduri”, dëgjohet të thotë ajo, duke shtuar: “Ky përrua pranë shtëpisë sonë nuk kishte kurrë ujë. Ne duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje Nënës Natyrë sepse Nënë Natyra nuk është e kënaqur me ne”.