Bizhuteri me vlerë miliona euro janë vjedhur nga muzeu i shtëpisë franceze të kristaleve dhe bizhuterive luksoze “Lalique”, në Wingen-sur-Moder të Francës verilindore. Sipas një burimi të cituar nga AFP, autorët e krimit hynë me forcë në muze rreth orës 05:30 të mëngjesit të së dielës dhe u drejtuan menjëherë drejt sallës ku ruheshin bizhuteritë.
“Rreth 20 bizhuteri u vodhën. Dëmi është ende duke u vlerësuar, por mund të arrijë në disa milionë euro, ndoshta afër 4 milionë,” tha një burim pranë hetimit. Pas vjedhjes, muzeu njoftoi se do të qëndrojë i mbyllur për disa ditë.
Sipas autoriteteve, alarmi u aktivizua, por përpara se shërbimi i sigurisë të përfundonte kontrollin, një punonjës pastrimi mbërriti i pari në vendngjarje dhe njoftoi policinë. Ndërkohë, policia franceze po shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët e grabitjes.
Muzeu Lalique, i dedikuar mjeshtrit të njohur René Lalique dhe stilit Art Nouveau e Art Deco, u hap në vitin 2011 pranë fabrikës historike të kompanisë. Ngjarja vjen vetëm pak kohë pas grabitjes së bujshme në Muzeun e Luvrit në Paris, që ngriti shqetësime serioze mbi sigurinë e institucioneve muzeale në Francë.



