Ai që duhej të ishte udhëtimi i ëndrrave për të ndjekur Anglinë në Kupën e Botës 2026 u kthye në një histori të pazakontë për 65-vjeçarin Michael Hewitt. Familja e tij e shpalli të zhdukur për dhjetë ditë, ndërsa ai ndodhej në Barcelonë duke ndjekur qetësisht ndeshjet e kombëtares angleze.
Gjithçka nisi gjatë një ndalese në qytetin spanjoll, ku Hewitt humbi telefonin celular. Në të kishte të ruajtura biletat e avionit dhe të gjitha dokumentet elektronike që i nevojiteshin për të vijuar udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara. Pa akses te biletat dhe pa mbajtur mend numrat e familjarëve, ai vendosi të mos vazhdonte udhëtimin. Duke qenë se kishte ende pasaportën, kartat bankare dhe para me vete, nuk e konsideroi situatën si emergjente dhe qëndroi në Barcelonë.
Gjatë gjithë kësaj kohe, 65-vjeçari kaloi ditët duke ndjekur ndeshjet e Anglisë në lokalet e qytetit, pa e ditur se familjarët e kishin denoncuar zhdukjen e tij dhe se në kërkime ishin përfshirë edhe autoritetet britanike, përfshirë Ministrinë e Jashtme.
Vëllai i tij, Gary Hewitt shpjegoi se Michael nuk kishte mundur të kontaktonte askënd, pasi nuk mbante mend asnjë numër telefoni. Ai gjithashtu nuk kishte kërkuar ndihmën e ambasadës britanike, pasi nuk mendonte se ndodhej në vështirësi. Zgjidhja erdhi falë transaksioneve të kryera me kartën e kreditit. Përmes tyre, Ambasada Britanike arriti të identifikonte hotelin ku ai ishte akomoduar dhe më pas të vendoste kontakt me të.
Familjarët njoftuan lajmin e mirë përmes rrjeteve sociale. “Lajm fantastik! Mick-u ynë është mirë dhe i sigurt në Barcelonë. Ai nuk e dinte se e gjithë bota po e kërkonte!”. Historia u mbyll pa pasoja, duke kthyer ankthin e familjes në lehtësim. Në vend që të ishte i humbur diku, Michael Hewitt po jetonte Botërorin në mënyrën e tij, duke ndjekur Anglinë nga baret e Barcelonës.



