Një aventurë peshkimi është kthyer në një moment të paharrueshëm për tre peshkatarë francezë, të cilët kanë arritur të kapin një ton të kuq me përmasa mbresëlënëse në ujërat e Mesdheut, pranë brigjeve të Sète në Francë. Peshku gjigant ishte rreth 2.60 metra i gjatë dhe peshonte afro 230 kilogramë. Për ta nxjerrë në sipërfaqe, tre peshkatarëve iu desh të luftonin për disa orë me forcën e tij.
Ata e kanë cilësuar momentin si “kapja e jetës”, duke treguar se pas tij qëndronin vite kërkimesh, përpjekjesh të dështuara dhe këmbënguljeje. Veçanërisht mbresëlënës është fakti se peshkatarët përdorën kallama të zakonshëm peshkimi për të përballuar një kafshë me përmasa të tilla. Megjithatë, ekzemplarët më të mëdhenj të tonit të kuq mund të jenë edhe shumë më të rëndë, duke kaluar në raste të veçanta gjysmën e tonit.
Toni i kuq është ndër peshqit më të çmuar në gastronominë botërore, veçanërisht në Japoni, ku përdoret për përgatitjen e sushit dhe sashimit. Për ekzemplarë të veçantë janë paguar në ankande shuma që i janë afruar 3 milionë eurove. Vlera e lartë tregtare bëri që peshkimi intensiv ta çonte specien pranë një situate kritike. Rreth vitit 2010 u ndërmorën masa ndërkombëtare për mbrojtjen e saj, përfshirë vendosjen e kuotave të peshkimit.
Masat dhanë rezultate dhe në vitin 2021, Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës e zhvendosi tonin e kuq të Atlantikut nga kategoria “i rrezikuar” në atë të “shqetësimit të ulët”. Megjithatë, ngrohja globale dhe rritja e temperaturave në Atlantik dhe Mesdhe konsiderohen tashmë një kërcënim i ri, pasi mund të ndikojnë në habitatet dhe ciklet e riprodhimit të kësaj specieje.



