Një incident i pazakontë ajror ka ndodhur në Korenë e Jugut, ku dy avionë luftarakë janë përplasur në ajër gjatë një misioni, pasi pilotët po realizonin foto dhe video me telefonat e tyre. Ngjarja ka ndodhur mbi qytetin Daegu, ndërsa sipas një raporti të publikuar nga Bordi i Auditimit dhe Inspektimit në Seul, shkaku kryesor i përplasjes lidhet me shpërqendrimin e pilotëve gjatë fluturimit. Fatmirësisht, të dy pilotët kanë shpëtuar pa lëndime, por dëmet materiale në avionë kanë arritur në rreth 440 mijë paund.
Sipas hetimit, njëri nga pilotët kishte planifikuar të bënte foto për të përkujtuar fluturimin e tij të fundit me njësinë ushtarake, një praktikë që sipas raportit ka qenë e përhapur mes pilotëve në atë kohë. Gjatë kthimit drejt bazës, ai nisi të fotografonte, ndërsa piloti i avionit kryesor kërkoi që një pjesëtar tjetër i ekuipazhit të xhironte pamje.
Për të realizuar pamje më të mira, piloti i avionit shoqërues ndryshoi trajektoren dhe e ngriti avionin më lart, duke kryer manovra që i afruan rrezikshëm dy mjetet fluturuese. Përpjekja për të shmangur përplasjen nuk rezultoi e suksesshme dhe dy avionët F-15K u goditën, duke dëmtuar krahun e njërit dhe pjesën e pasme të tjetrit. Pas incidentit, piloti përgjegjës u pezullua dhe më pas u largua nga ushtria, ndërsa autoritetet kërkuan që ai të mbulonte një pjesë të dëmit financiar.



