Vdekja e një turisteje në vitin 2024, në Itali, e shkaktuar nga goditja prej statujës që një 13-vjeçar hodhi nga dritarja e ballkonit të shtëpisë, është rikthyer në vëmendjen e mediave pasi prindërit e të miturit po akuzohen për vrasje. 30-vjeçarja Chiara Jaconis po festonte ditëlindjen e saj në Napoli së bashku me të dashurin, kur u godit për vdekje nga një statujë 2 kg e rëndë, teksa ecte në rrugë.
Prindërit e fëmijës 13-vjeçar që hodhi statujën nga ballkoni i shtëpisë, po përballen me akuza për vrasje të paqëllimshme, teksa prokurorët argumentojnë se ata nuk e kanë mbajtur nën vëzhgim të duhur djalin. Organi i akuzës kërkon që nëna dhe babai i fëmijës të akuzohen për vrasje të pakujdesshme sepse 13-vjeçari dyshohet se ka kryer akte të ngjashme të rrezikshme edhe në të kaluarën.
Hetimet zbuluan se djali kishte hedhur më parë objekte të tjera nga ballkoni, duke përfshirë varëse rrobash, një telekomandë dhe një tablet. Megjithatë, prindërit e tij e mohojnë çdo shkelje dhe kanë pretenduar se statuja nuk u përkiste atyre.
“Kjo është një tragjedi që ka goditur dy familje të respektueshme, atë të Chiara-s dhe atë të dy profesionistëve”, tha avokati i çiftit, Carlo Bianco. Ai shtoi se prindërit gjithmonë kanë treguar “kujdes dhe mbrojtje të madhe ndaj djalit të tyre, i cili ka vuajtur nga probleme shëndetësore që nga lindja”. Çifti ka apeluar vendimin e gjykatës për të liruar djalin e tyre nga akuzat për shkak të moshës së tij, duke argumentuar se ai duhet të lirohet bazuar në faktet e çështjes dhe jo thjesht për shkak të moshës së tij.



