Personazhe të njohur të ekranit, regjisorë dhe krijues të industrisë së filmit afrikan pushtuan tapetin e kuq të edicionit të 12-të të “Africa Magic Viewers’ Choice Awards” (AMVCA) në Nigeri, por ishte një paraqitje ajo që mori gjithë vëmendjen.

Ceremonia prestigjioze u mbajt në hotelin “Eko Hotel and Suites” në Lagos dhe feston arritjet më të mira në filmin afrikan, televizion dhe tregimin digjital. Ashtu si çdo vit, eventi u kthye edhe në një “paradë mode”, ku të famshmit garojnë jo vetëm për çmime, por edhe për paraqitjen më ekstravagante të mbrëmjes.

Tapeti i kuq këtë vit u dominua nga fustane gjigante, dizajne teatrale dhe veshje dramatike, ndërsa disa personazhe u shoqëruan nga ekipe ndihmëse për të transportuar krijimet voluminoze.

Një nga momentet më të komentuara ishte paraqitja e yllit të reality show-t, Queen Mercy Atang, e cila u shfaq me një fustan të realizuar nga 500 bukë.

E rrethuar nga asistente që mbanin tabaka me bukë dhe ndihmës që transportonin fustanin, Atang mezi lëvizte mes turmës së fotografëve dhe fansave.

Në një intervistë për BBC, ajo u shpreh se veshja ishte menduar si mënyrë për të promovuar biznesin e saj të bukës dhe jo vetëm për të tërhequr vëmendje.

“Ku tjetër mund ta reklamoj biznesin tim më mirë sesa në AMVCA?”, deklaroi ajo.

Fustani u realizua nga stilistja e njohur Toyin Lawani e “Tiannah’s Empire”, e cila shkroi në Instagram se synon të nisë një trend të ri: “Secili të veshë biznesin e vet”.

Pamja u bë menjëherë virale në rrjetet sociale dhe një nga temat më të komentuara të eventit.