Një “shkurre” e pazakontë ka shkaktuar jo pak surpriza në rrugët e qytetit Dunellen, në shtetin amerikan të Nju Xhersit. Pas kamuflazhit fshihej në fakt një efektiv policie, i cili kishte gjetur një metodë kreative për të kapur shoferët që shpërqendroheshin nga telefoni gjatë drejtimit të automjetit.

Agjenti i Policisë u maskua nga koka te këmbët me gjethe dhe u vendos në anë të rrugës, i pajisur vetëm me dylbi. Për 6 orë ai vëzhgoi trafikun dhe arriti të identifikonte plot 74 drejtues mjetesh që shkelën rregullat duke përdorur celularin në timon.

Departamenti i Policisë e bëri publik aksionin me humor në rrjetet sociale, duke shkruar se “nëse e kishit kokën ulur te telefoni, me shumë mundësi nuk i vutë re shkurret tona”. Sipas autoriteteve, zona e zgjedhur ishte një nga më të frekuentuarat në qytet, me shumë makina dhe këmbësorë, ndaj kontrolli kishte si qëllim rritjen e sigurisë rrugore. Policia theksoi se mesazhet dhe njoftimet në telefon mund të presin, ndërsa përqendrimi duhet të jetë gjithmonë te rruga.