Një grua izraelite ka denoncuar një incident tronditës pas një porosie online nga marka ndërkombëtare e veshjeve sportive Alo Yoga. Sipas mediave izraelite, ajo kishte porositur aksesorë sportivë përmes faqes zyrtare të kompanisë, por kur mori pakon zbuloi se produktet mungonin plotësisht. Në vend të tyre, brenda kishte kartonë të grisur, plastikë dhe mesazhe të shkruara me dorë në mbështetje të Hamasit dhe Palestinës.

Në fletën e porosisë ishin shkruar fraza si Free Palestine, Hamas will win dhe Death to the IDF, së bashku me simbolin e trekëndëshit të kuq që përdoret shpesh në propagandën militante kundër ushtrisë izraelite. Gruaja deklaroi se paketa dukej e mbyllur normalisht dhe dyshon se incidenti mund të ketë ndodhur gjatë procesit të përgatitjes së porosisë.

Ajo tregoi se kontaktoi menjëherë shërbimin e klientit të kompanisë, por pretendon se komunikimi në chat u ndërpre pasi ngarkoi fotografitë e pakos. Alo Yoga është një markë amerikane shumë e njohur për veshje sportive dhe yoga, me klientë në mbarë botën, përfshirë edhe Izraelin. Përfaqësuesit lokalë të kompanisë në Izrael deklaruan se çështja i është referuar selisë qendrore në Los Angeles për verifikime të mëtejshme