Maduka Okoye po tërheq vëmendje jo vetëm me paraqitjet në fushën e futbollit. Portieri i Udineses është shfaqur së fundmi në eventet e “Milano Fashion Week”, duke u bërë pjesë e një prej javëve më të rëndësishme të modës. Futbollisti 27-vjeçar mori pjesë në aktivitetet e modës si një prej imazheve të fanellës së tretë të Udineses. Me stilin dhe prezencën e tij, Okoye duket se ndihet po aq komod para kamerave sa edhe mes shtyllave.
Popullariteti i tij jashtë futbollit është rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Një video e tij gjatë një ndeshjeje me kombëtaren e Nigerisë u bë virale dhe solli një rritje të menjëhershme të ndjekësve në rrjetet sociale. Në TikTok, portieri kaloi brenda pak javësh nga rreth 250 mijë ndjekës në më shumë se një milion. Krahas performancave sportive, vëmendjen e publikut e ka tërhequr edhe pamja e tij. Komentet në rrjetet sociale e kanë cilësuar si “futbollistin më të bukur në botë”, ndërsa disa përdorues madje kanë hedhur dyshime absurde se imazhet e tij mund të ishin modifikuar me inteligjencë artificiale.
I pyetur gjatë “Milano Fashion Week” për këtë epitet, Okoye reagoi me sportivitet: “Futbollisti më i bukur në botë? Këtë e kam dëgjuar edhe më parë. Nuk e di, nuk e them unë. Nëse e thonë të tjerët, në rregull.” Por krahas vëmendjes që po merr në modë dhe rrjete sociale, emri i tij është lidhur së fundmi edhe me showgirl-in argjentinas Belen, pas disa videove ku dyshja është shfaqur së bashku.
Okoye nuk ka dashur të komentojë mbi jetën e tij sentimentale, duke e bërë të qartë se preferon ta mbajë atë larg vëmendjes publike. “Nuk flas për jetën time private, sepse nuk ndikon te loja. E njëjta gjë vlen edhe për praninë time në sfilata. Është një botë që më pëlqen, por nuk ka lidhje me aktivitetin tim si futbollist”, është shprehur ai.
Pavarësisht famës në rritje, portieri insistoi se futbolli mbetet prioriteti absolut. Sipas tij, ekspozimi jashtë fushës nuk duhet të ndikojë te përqendrimi dhe përgjegjësitë që ka ndaj klubit dhe ekipit kombëtar. “Edhe nëse udhëtoj nëpër botë dhe ndryshojnë gjërat jashtë fushës, për mua është e rëndësishme të jem i njëjti djalë si gjithmonë.”



