Ish-banorja e edicionit të pestë të “Big Brother VIP Albania”, Egi Gjyzeli, ka qenë së fundmi e ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën. Gjatë kësaj interviste, ajo ka folur për rrugëtimin e saj në këtë reality show si dhe ka bërë një rrëfim të sinqertë për jetën e saj personale.

E pyetur se ‘cili ka qenë një nga momentet më të vështira për ty në jetë?’, ish-banorja e shtëpisë më të famshme në Shqipëri u përgjigj duke thënë kur djali i saj pati një problem shëndetësor. Egi shprehet se në ato momente ka mësuar se nuk të rrit mosha, por të rrisin problemet në këtë jetë.

“Kur djali pati një problem shëndetësor, aty ishte goditja ime e parë. Aty mësova që nuk të rrit mosha, por të rrisin problemet në këtë jetë. Kjo pickoi frikërat e mia për të qëndruar vetëm, edhe pse isha me njerëz, kisha frikë të rrija vetëm me djalin. Më ngacmoi disa mekanizma brenda vetes, por gjëja e vetme që i thoja vetes në atë periudhë që ka zgjatur 5 apo 6 vite, ishte që tani e preka fundin, por më mbetet vetëm për t’u ngritur lart. Ishte një shtysë që i jepja vetes. Ka qenë një periudhë e vështirë. Për një mjekim të gabuar, ai ka qenë 18 muajsh, dhe mjekimi i gabuar e çoi në një situatë shumë të rëndë. Më është dashur ta çoj jashtë, për t’i bërë vetëm serume për ta pastruar nga këto kimikate që kishte marrë. U mjekua për epilepsi, ndërkohë që nuk vuante nga kjo gjë. Ishte një analizë e keqinterpretuar që solli pasoja të tilla. Nuk dua ta mendoj se çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të kisha reaguar në kohë. Në momentin që ndodhi, djali në krye të 2-3 muajve e mori veten, por ajo çfarë la pas më zgjati gati 5 vite, ishte si një tërmet që la rrënojat e veta dhe duhej ndërtuar prapë. Shpëtimi im ka qenë vetëm fitnessi”, ka treguar Egi.