Një nëne, të cilës i është mohuar qëndrimi i përhershëm nga zyrtarët e Zelandës së Re për shkak të mbipeshës, ka treguar së fundmi planet e saj për të nisur një karrierë të re. Ajo është frymëzuar nga rrugëtimi i saj i vazhdueshëm për të humbur peshë.

Është fjala për Mondelea Bezuidenhout, e cila u bë kryefjala e mediave në mbarë botën, pasi aplikimi i saj për të qëndruar në Zelandën e Re iu refuzua për shkak se ishte shumë e shëndoshë dhe e bënte atë shumë të rrezikuar për shëndetin.

36-vjeçarja nga Afrika e Jugut ka treguar se ishte urdhëruar nga zyrtarët të humbiste 30 kilogramë ose do të përballej me dëbimin nga vendi i adoptuar, që ajo e quan shtëpi për katër vitet e fundit.

Ajo apeloi vendimin dhe u bë një përjashtim i veçantë për të qëndruar një vit, pasi mori një referim nga mjeku i saj i përgjithshëm, duke deklaruar se ishte në gjendje të mirë shëndetësore.  

Ndërkohë e reja vijon që rrugëtimin e saj të humbjes në peshë e zbulon herë pas here në rrjetet sociale, me shpresën që të frymëzojë të tjerët. Mondelea ka treguar gjithashtu se ka mbështetjen e bashkëshortit të saj, Donovan dhe dy fëmijëve, Donna-Lee, 11 vjeç dhe Damien 4 vjeç.

Ndërsa tani, 36-vjeçarja ka zbuluar planet për t’u bërë modele me përmasa të mëdha, e frymëzuar nga etiketa e modës afrikano-jugore Donna Claire.

“Gjithmonë kam dashur të jem një modele plus-size, si zonjat Donna Claire – madje e kam quajtur vajzën time Donna-Lee”, tha ajo për revistën You të Afrikës së Jugut të enjten.