Një përplasje e fortë ka shpërthyer mes dy aktoreve të serialit të njohur turk “Kadın”, Kubra Suzgun, e cila interpretoi Nisanin, vajzën e personazhit Bahar, ka publikuar një video mes lotësh, ku ka ngritur akuza të rënda ndaj ish-koleges së saj, Ozge Ozpirinçci.
Aktorja e re pretendoi se ajo dhe familja e saj kanë kaluar vite të vështira dhe se janë ndier të rrezikuar pas një situate që, sipas saj, lidhet me aktoren e famshme dhe rrethin e saj ligjor.
“Që nga dita kur të kam njohur, nuk kam mundur të jetoj as fëmijërinë dhe as rininë time. Çdo ditë, si familje, prisnim dhe pyesnim veten se kur do të na vrisnin. Babai im shiti gjithçka që kishte”, u shpreh Suzgun në videon e publikuar në rrjetet sociale.
Ajo iu drejtua drejtpërdrejt Ozpirinçci-t, duke pretenduar se familja e saj ishte lënë përballë personave të rrezikshëm rreth shtatë vite më parë. Pretendimet e saj shkaktuan reagime të shumta, ndërsa familjarët e aktores së re kanë vijuar prej kohësh me postime dhe akuza në rrjetet sociale.
Pas heshtjes së gjatë, Ozge Ozpirinçci reagoi publikisht, duke mohuar çdo përfshirje në ngjarjet për të cilat akuzohet.
Aktorja shpjegoi se gjatë xhirimeve të serialit “Kadın”, mes viteve 2017 dhe 2019, babai i Kubra Suzgun i kishte kërkuar ndihmë për të gjetur një avokat.
“Serkan Suzgun, babai i Kubra Suzgun, me të cilën kam punuar në serialin ‘Kadın’, erdhi një ditë tek unë në sheshin e xhirimeve dhe më tregoi se ndodhej në vështirësi dhe se kishte nevojë për një avokat. Unë e drejtova te avokati im, Nail Gonenli. Nuk kam qenë e përfshirë në asnjë fazë të çështjes”, deklaroi ajo.
Ozpirinçci tha se gjatë shtatë viteve të fundit ka ndjekur me trishtim dhe habi, siç i cilësoi ajo, akuzat e pavërteta, shpifjet, kërcënimet dhe fyerjet ndaj saj, familjes dhe njerëzve të afërt.
Sipas aktores, ajo kishte shmangur më parë një reagim publik apo ndërmarrjen e hapave ligjorë për të mos dëmtuar Kübra Süzgün. Megjithatë, përfshirja e familjes së saj në akuza e ka shtyrë të thyejë heshtjen.
“Asnjë nga pretendimet e bëra ndaj meje nuk pasqyron të vërtetën. Janë kryer aplikimet e nevojshme dhe kanë nisur procedurat për mbrojtjen e të drejtave të mia ligjore”, bëri të ditur Ozpirinçci.
Përplasja mes dy ish-kolegeve ka rikthyer në vëmendje serialin që dikur theu rekorde shikueshmërie, por këtë herë jo për historinë e tij televizive. Deri në përfundimin e procedurave ligjore, pretendimet e ngritura nga Kubra Suzgun mbeten akuza të pakonfirmuara dhe të kundërshtuara nga Ozge Ozpirinçci.



