Këngëtarja e njohur, Ronela Hajati, ka reaguar me tone të forta ndaj gjuhës së urrejtjes që, sipas saj, po dominojnë gjithnjë e më shumë rrjetet sociale.

Përmes një postimi në “Instastory”, artistja u shpreh e shqetësuar për mënyrën se si komunikohet në platformat online, duke theksuar se niveli i komenteve ka arritur në një pikë alarmante.

“Përfundimisht grada e nivelit të komenteve në përgjithësi në rrjete sociale është ZH… Të vjen turp t’i lexosh, jo më t’i shkruash”, shkruan Ronela.

Artistja nuk kurseu kritikat as për personat që, sipas saj, fshihen pas komenteve fyese. Ajo vuri në dukje se shpesh bëhet fjalë për njerëz të rritur, me familje dhe fëmijë, të cilët përdorin një gjuhë të papranueshme ndaj figurave publike.

“Burra dhe gra në moshë, njerëz me familje, një fjalor dhe një mendje e prishur. Më vjen neveri të lexoj lloj-lloj shembujsh për çdo njeri që është fytyrë publike”, vijoi këngëtarja.

Në fund të reagimit të saj, Ronela u bëri thirrje komentuesve që energjinë dhe kohën e shpenzuar për të përhapur negativitet në internet ta përdorin për të përmirësuar jetën e tyre.

“Të shfrytëzonit gjithë këtë kohë që merreni me këtë mllef, për të rregulluar punët tuaja, më mirë do ishte ky popull”, përfundoi ajo.