E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Anxhela Panxhi, eksperte e bio-kozmetikës. Ajo ka folur më shumë për kujdesin ndaj lëkurës, sidomos gjatë sezonit të verës…

Pjesë nga intervista:

Sot shohim vajza ende të reja në moshë që përdorin make-up, klinika estetike që promovojnë pafund kremra. Sipas studimeve thuhet që produktet në përdorim në lëkurë, përfundojnë në gjak. Çfarë po i fusim trupit nëpërmjet kremrave që mendojmë se janë magjibërës?

E gjithë kjo, është reflektimi që ne ndiejmë një lloj boshllëku të brendshëm dhe kjo është një lloj sjellje kompensuese. Njerëzit ndikohen shumë nga njëri-tjetri, shikojnë njëri-tjetrin. Mendojnë se nëse nuk e bëjnë këtë gjë, i duket sikur i ka humbur diçka ose nuk po arrijnë nivelin e duhur. Është ideja e mospranimit të vetes ashtu siç je. Dhe këtu nuk e kam fjalën tek mirëmbajtja, sepse njeriu duhet të jetë koshient edhe për pjesën e mirëmbajtjes. Por është tek ekzagjerimi. Dhe kjo ndodh sidomos në popullatën tonë. Po ta krahasojmë me Parisin, që është kryeqyteti botëror i kozmetikës, ne kemi një lloj mbingarkese të produkteve që ne aplikojmë çdo ditë, për të arritur ato standarde bukurie të cilat ne na imponohen në një formë ose në një tjetër dhe ne i përqafojmë, na pëlqejnë ose jo. Jemi të ekspozuar ndaj shkëputësve hormonalë, kimikatet arrijnë në kapilarët e vegjël të gjakut brenda 26 sekondave nga aplikimi i një produkti, i cili nëse ka elemente që nuk duhet të jenë aty, aq më tepër për vajzat e vogla adoleshente që janë ende në procesin e rritjes, ku ka imitues hormonalë, japin mesazhe të gabuara në organizëm. Por edhe për gratë, sot ka studime shkencore që konfirmojnë që gratë të cilat e kanë ndërprerë masivisht përdorimin e produkteve të tepërta kozmetike, jo të duhura, jo të shëndetshme, kjo ka pasur edhe një lloj lidhje me kancerin e gjirit ose edhe me sëmundje të tjera. Edhe tek fertiliteti ndikojnë produktet kozmetike, sepse ndikojnë tek hormonet tek sistemi i riprodhimit dhe jo vetëm.

Keni bërë ndonjëherë botoks?

Asnjëherë, dhe nuk kam për ta bërë. Unë pranoj të plakem kështu siç jam. Sepse do ndryshonte komplet mimikën time, do ndryshonte tiparet që unë kam. Jam në një moshë të atillë që unë e pranoj veten time kështu siç jam. /TAR/