Një koment i shkurtër i këngëtares amerikane Katy Perry ka tërhequr vëmendje në rrjetet sociale, pasi u publikua nën një video ku Ivanka Trump fliste për projektin e zhvillimit turistik në ishullin e Sazanit. Në videon e shpërndarë nga një platformë mediatike amerikane, Ivanka Trump rrëfen se si ajo dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, e zbuluan për herë të parë Sazanin dhe vendosën të investojnë në projektin që parashikohet të zhvillohet në ishull.

Mes komenteve, Katy Perry shkroi vetëm dy fjalë: “Delulu island”. Termi “delulu”, i përdorur gjerësisht në rrjetet sociale, është një formë e shkurtuar e fjalës angleze “delusional” (i zhytur në iluzione) dhe zakonisht përdoret në mënyrë ironike ose tallëse. Komenti i artistes u shpërnda me shpejtësi në platforma të ndryshme sociale, ku përdoruesit e interpretuan atë si një thumbim ndaj projektit të diskutuar prej muajsh në Shqipëri dhe jashtë saj. Komenti i Perry-t vjen pak javë përpara performancës së saj në Sunny Hill Festival në Prishtinë, ku këngëtarja amerikane është konfirmuar si një nga emrat kryesorë të edicionit të këtij viti.