Modelja dhe aktivistja për ndërgjegjësimin mbi vitiligon, Logina Salah, ka vendosur që të ndajë me publikun një histori të saj personale, duke e lidhur me rastin e legjendës së muzikës, Michael Jackson.
Mediat e huaja shkruajnë se konkurrentja e parë në historinë e Miss Universe me vitiligo ka treguar se kjo gjendje ndikon jo vetëm në pamjen fizike, por edhe në vetëbesim dhe mënyrën si njerëzit trajtohen nga shoqëria.
Sipas Logina Salah, një nga rastet më të njohura në botë është ai i Michael Jackson, i cili për vite me radhë u përball me keqkuptime nga publiku.
Modelja e njohur theksoi se shumë njerëz besonin gabimisht se artisti kishte ndryshuar ngjyrën e lëkurës me dëshirë, ndërsa në realitet ai vuante nga një gjendje mjekësore serioze.
Sipas aktivistes për ndërgjegjësimin, vitiligo i kishte prekur më shumë se 70 për qind të trupit dhe kjo solli paragjykime të shumta gjatë jetës së tij.
Logina Salah foli edhe për eksperiencën e saj në konkurset e bukurisë, ku mori pjesë në “Miss Universe 2024” dhe bëri histori si konkurrentja e parë me vitiligo.
Ajo u shpreh se ky moment ishte shumë i rëndësishëm për të sfiduar standardet tradicionale të bukurisë dhe për të treguar se bukuria nuk ka vetëm një formë.
Në fund, modelja theksoi se tregimi i këtyre historive është thelbësor për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të luftuar paragjykimet ndaj personave që jetojnë me vitiligo.
Sipas saj, rasti i Michael Jackson mbetet një nga shembujt më të mëdhenj se si publiku mund të keqkuptojë një realitet shëndetësor.





