Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ditët e fundit të financierit amerikan Jeffrey Epstein, i cili u gjet i vdekur në qelinë e tij në një burg federal në Nju Jork në gusht të vitit 2019. Sipas një raporti të publikuar nga media amerikane, Epstein dyshohet se kishte tentuar disa herë t’i jepte fund jetës së tij përpara se të gjendej i pajetë. Pretendimet bazohen në dëshmitë e ish-shokut të tij të qelisë, Nicholas Tartaglione, i cili ka deklaruar se kishte vërejtur disa episode shqetësuese gjatë qëndrimit të përbashkët në burg.

Sipas dëshmisë së tij, në një rast Epstein kishte përgatitur një lak të improvizuar me çarçafë, ndërsa në një tjetër ishte gjetur një mjet i ngjashëm i fshehur nën dyshek. Tartaglione pretendon se kishte njoftuar stafin e burgut, por shqetësimet e tij nuk u morën seriozisht. Dokumente të brendshme të administratës së burgjeve përshkruajnë gjithashtu një incident në korrik 2019, kur Epstein u gjet i shtrirë në dyshemenë e qelisë dhe u transportua për vëzhgim mjekësor. Në atë kohë ai kishte pretenduar se po përballej me presion dhe kërcënime nga të burgosur të tjerë.

Raporti ngre gjithashtu shqetësime për mënyrën se si janë ruajtur provat dhe për respektimin e procedurave të sigurisë në burgun federal ku mbahej Epstein. Megjithatë, hetimet zyrtare të zhvilluara pas ngjarjes kanë arritur në përfundimin se vdekja e tij ishte vetëvrasje. Rasti i Epstein vazhdon të mbetet një nga çështjet më të debatuara në SHBA, duke gjeneruar prej vitesh teori dhe polemika për rrethanat e vdekjes së tij, ndërsa publikimi i dëshmive dhe dokumenteve të reja ka rikthyer sërish vëmendjen mbi këtë dosje.