Sean “Diddy” Combs mund të përballet me akuza të reja penale në lidhje me vrasjen e reperit Tupac Shakur, nëse gjyqi aktual ndaj Duane “Keffe D” Davis përfundon me një dënim, sipas burimeve ligjore të cituara nga The Telegraph. Pothuajse 30 vjet pas vrasjes së Tupac Shakur në Las Vegas, Davis po gjykohet për dyshimin se ka organizuar atentatin ndaj reperit në vitin 1996, në kuadër të konfliktit të ashpër mes bandave rivale të Los Angeles-it.
Prokuroria pretendon se Davis ndodhej në Cadillac-un e bardhë nga i cili u qëllua Tupac dhe se ai i kishte dhënë armën personit që kreu të shtënat. Një nga provat kryesore të çështjes është një regjistrim sekret i Policisë i vitit 2008, në të cilin Davis dyshohet se ka folur për rolin e tij dhe të personave të tjerë në vrasje. Në këtë regjistrim, sipas prokurorisë, Davis pretendon gjithashtu se Diddy i kishte ofruar 1 milion dollarë për vrasjen e Tupacut.
Megjithatë, Davis i ka mohuar tashmë vërtetësinë e pretendimeve të tij, duke argumentuar se deklaratat i kishte bërë për të fituar famë dhe vëmendje. Sipas prokurorëve, motivi i vrasjes lidhej me një konflikt që kishte ndodhur vetëm disa orë para atentatit. Tupac dhe pjesëtarë të grupit të tij kishin sulmuar Orlando Anderson, nipin e Davis dhe anëtar të një bande rivale. Prokuroria beson se sulmi ndaj Anderson çoi në hakmarrjen që përfundoi me vrasjen e Tupacut.
Nëse juria e shpall Davis fajtor, kjo mund t’u japë prokurorëve bazë më të fortë për të hetuar pretendimet e tij ndaj Combs. Një burim pranë zyrës së prokurorit të Clark County tha se “dera mbetet e hapur” për të shqyrtuar se çfarë akuzash mund të ngrihen ndaj Diddy-t.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Diddy është akuzuar apo se prokurorët kanë vendosur ta ndjekin penalisht për vrasjen e Tupacut. Policia nuk e ka deklaruar Combs si të dyshuar në këtë çështje dhe ai ka mohuar përfshirjen. Prokurorët kanë zgjedhur deri tani të mos e bëjnë rolin e pretenduar të Diddy-t pjesë qendrore të gjyqit të Davis, me argumentin se kjo mund ta komplikonte dhe ta hutonte jurinë.



