Georgina Rodriguez ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare me paraqitjen e saj më të re në kopertinën e numrit korrik-gusht të revistës “Harper’s Bazaar Spain”, ku shfaqet me disa veshje banje elegante gjatë një seti fotografik të realizuar në një jaht luksoz.

Modelja dhe sipërmarrësja e famshme, e cila së fundmi është emëruar ambasadore e markës “Calzedonia” në Spanjë, ka pozuar me një sërë kostumesh plazhi, duke vënë në pah fizikun e saj dhe stilin e rafinuar.

Në intervistën e dhënë për revistën, 32-vjeçarja foli për lidhjen e saj me detin dhe mënyrën se si ai pasqyron personalitetin e saj.

“Për mua, deti është liri, energji dhe feminitet”, u shpreh ajo, duke shtuar se estetika moderne e markës përputhet me stilin e saj të jetesës.

Paraqitja e saj mediatike vjen në një moment kur partneri i saj, Cristiano Ronaldo, është në qendër të vëmendjes për paraqitjet me Portugalinë në Kupën e Botës 2026.

Kombëtarja portugeze e nisi turneun me një barazim 1-1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos, ndërsa performanca e Ronaldos u komentua gjerësisht nga mediat sportive. Sulmuesi veteran nuk arriti të regjistronte asnjë goditje në portë, duke nxitur kritika ndaj trajnerit Roberto Martinez për moszëvendësimin e tij gjatë ndeshjes.

Pas takimit, reagime të forta pati edhe nga disa tifozë të Ronaldos, ndërsa motra e tij, Katia Aveiro, doli publikisht në mbrojtje të futbollistit.

Ndërkohë, Georgina vazhdon jetën e saj mes projekteve të modës dhe angazhimeve profesionale. Ajo dhe Ronaldo jetojnë në Arabinë Saudite, ndërsa prej vitesh konsiderohen një nga çiftet më të ndjekur në botën e sportit dhe showbizit.

Çifti zyrtarizoi fejesën në gusht të vitit 2025, pas tetë vitesh lidhje, duke ndarë me ndjekësit momentin e shumëpritur që shënoi një kapitull të ri në historinë e tyre të dashurisë.