Një rrëfim që po trondit opinionin publik ka dalë në dritë, pasi katër nga pesë vëllezërit dhe motrat Cascio kanë akuzuar publikisht Michael Jackson për abuzim seksual, vite pasi e kishin mbrojtur atë me vendosmëri.
Në një intervistë për “The New York Times”, Aldo, Eddie, Dominic dhe Marie Nicole treguan se marrëdhënia e tyre me ikonën e pop-it ishte shumë më e errët nga sa ishte perceptuar, duke pretenduar se janë manipuluar dhe “trajnuar” për të mohuar çdo akuzë ndaj tij.
“Na shpëlanë trurin”, rrëfeu Eddie, duke shtuar se për vite me radhë ata reaguan në mbrojtje të këngëtarit sa herë që përmendeshin akuza publike.
Familja Cascio ishte shumë e afërt me artistin që nga vitet ’80 dhe vizitonte shpesh fermën e tij të famshme, “Neverland Ranch”, madje edhe pa praninë e prindërve.
Megjithatë, një tjetër anëtar i familjes, Frank Cascio, i cili nuk është pjesë e padisë, kishte deklaruar më herët në librin e tij se këngëtari nuk kishte bërë asgjë të papërshtatshme.
Disa nga vëllezërit dhe motrat thonë se filluan të reflektonin mbi përvojën e tyre vetëm pas publikimit të dokumentarit “Leaving Neverland”, që trajtonte akuza të ngjashme nga persona të tjerë.
Pas një marrëveshjeje në vitin 2020, familja përfitoi rreth 16 milionë dollarë, por tani kërkon kompensim shtesë në gjykatë. Nga ana tjetër, avokati i pasurisë së Jackson, Marty Singer, i ka hedhur poshtë pretendimet, duke i cilësuar si përpjekje për përfitim financiar.
Çështja mbetet e hapur dhe pritet të vendoset nëse marrëveshja e mëparshme do t’i pengojë apo jo ata të vazhdojnë betejën ligjore.



