Një murgeshë ka humbur jetën në Itali pasi u fut në det për të shpëtuar disa murgesha të tjera që rrezikonin të mbyteshin për shkak të dallgëve të forta. Ngjarja tragjike ndodhi në zonën bregdetare të Vaccarizzo-s, në provincën e Katanias, ku një grup murgeshash po kalonin një ditë pushimi pranë detit. Sipas mediave italiane, disa prej tyre hynë në ujë pranë bregut, por dallgët e fuqishme i tërhoqën më larg dhe nisën të kërkonin ndihmë.

46-vjeçarja Nadir Santos da Silva dhe një tjetër murgeshë, motra Gessica, hynë menjëherë në det për t’i ndihmuar. Motra Gessica arriti të rikthehej në breg bashkë me disa prej murgeshave, ndërsa Nadir nuk doli më nga uji. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, murgesha kishte konsumuar një sasi të madhe uji gjatë përpjekjeve për shpëtim, duke humbur forcat dhe më pas ndjenjat. Trupi i saj u gjet pa shenja jete.

Ngjarja ka tronditur komunitetin fetar dhe besimtarët në zonë.