Një grup shkencëtarësh europianë kanë realizuar një eksperiment të pazakontë nën alpet zvicerane, ku arritën të shkaktojnë rreth 8 mijë mini-tërmete artificiale për të studiuar mënyrën se si lëviz toka në thellësi. Eksperimenti u zhvillua në laboratorin nëntokësor BedrettoLab, i ndërtuar brenda një tuneli 5.2 kilometra të gjatë në Zvicër, rreth 1.5 kilometra nën mal. Projekti drejtohet nga studiues të ETH Zurich, një nga universitetet dhe institutet kërkimore më prestigjioze në botë dhe synon të kuptojë më mirë proceset sizmike dhe rreziqet që lidhen me aktivitetet nëntokësore.
Shkencëtarët injektuan rreth 750 metra kub ujë në çarje shkëmbore të zgjedhura më parë, me synimin për të aktivizuar lëvizje të vogla përgjatë një thyerjeje ekzistuese gjeologjike. Sipas studiuesve, nuk u krijua një çarje e re, por vetëm u lehtësua lëvizja e asaj ekzistuese.
Si rezultat, u regjistruan afro 8 mijë lëkundje sizmike shumë të vogla, me magnitudë nga -5 deri në -0.14 të shkallës Rihter. Edhe pse tërmeti i synuar me magnitudë 1 nuk u arrit plotësisht, studiuesit e konsideruan eksperimentin një sukses të madh shkencor.
Profesori Domenico Giardini tha se ky ishte një nga eksperimentet më të avancuara të kryera ndonjëherë në këtë fushë dhe se rezultatet do të ndihmojnë në kuptimin e mënyrës se si mund të shmangen tërmetet e shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.
Sipas ekspertëve, studime të tilla janë të rëndësishme për sigurinë e projekteve nëntokësore si nxjerrja e energjisë gjeotermale, shpimet apo depozitimi i mbetjeve industriale. Ata sollën si shembull tërmetin e fuqishëm të vitit 2017 në Pohang të Koresë së Jugut, i cili u lidh me injektimin e ujit në një projekt gjeotermal.
Shkencëtarët theksuan se eksperimentet në Zvicër ishin të sigurta dhe se lëkundjet nuk u ndjenë në sipërfaqe. Megjithatë, ata pranojnë se synimi i tyre afatgjatë është të kuptojnë më mirë se si mund të kontrollohen dhe parandalohen tërmetet e shkaktuara nga njeriu.




