Katër vite pas marrëveshjes së ndarjes, Shakira dhe Pique është rikthyer në gjykatë në Barcelonë, këtë herë për një çështje që prek drejtpërdrejt jetën e dy djemve të tyre, Milan dhe Sasha. Të dy u paraqitën në “City of Justice”, por ajo që po tërheq vëmendjen nuk është thjesht rikthimi i tyre në sallën e gjyqit. Në qendër të përplasjes është mënyra se si fëmijët duhet të udhëtojnë mes Miami-t dhe Barcelonës.

Shakira ka një kërkesë të qartë. Këngëtarja kërkon që gjatë pushimeve të shkurtra shkollore të jetë Piqué ai që udhëton drejt Miami-t, në mënyrë që Milan dhe Sasha të mos përballen me fluturime transatlantike vetëm për disa ditë. Sipas përfaqësuesve të saj, kjo kërkesë nuk ka aspak për qëllim t’i heqë kohë Piqués me fëmijët. Përkundrazi, Shakira argumenton se dëshiron që barra e udhëtimeve të ndahet mes të dy prindërve, në vend që të rëndojë vetëm mbi fëmijët.

Fluturimet Miami–Barcelona, ndryshimi i orarit dhe lodhja që shoqëron udhëtimet e gjata, sipas këngëtares, ndikojnë në rutinën e tyre shkollore, sociale dhe familjare. Në deklaratën e bërë për mediat, përfaqësuesit e Shakirës theksojnë se qëllimi është që fëmijët të ruajnë sa më gjatë rutinën e tyre dhe të shmangin udhëtimet e shkurtra transatlantike dhe “jet lag”-un që ato sjellin. Por duket se kompromisi nuk është gjetur. Negociatat paraprake nuk kanë arritur të zgjidhin mosmarrëveshjen dhe për këtë arsye çështja përfundoi sërish para gjyqtarit.

Shakira dhe Piqué mbërritën veçmas në gjykatë dhe u larguan po ashtu veçmas. Para kamerave, këngëtarja u shfaq serioze, ndërsa ish-futbollisti u pa më i qeshur. Por është ajo që pretendohet se ka ndodhur brenda sallës së gjyqit që ka ndezur më shumë kureshtjen. Sipas raportimeve të publikuara nga mediat, palët kanë mbajtur qëndrime të kundërta gjatë seancës dhe atmosfera mes tyre ka qenë e tensionuar. Në këto raportime është përmendur edhe një frazë që i atribuohet Piqués: “Më lini të qetë!”

Në anën tjetër, Shakira thotë se nuk po kërkon më pak kohë për babain me fëmijët, por një mënyrë më të drejtë për ta organizuar atë kohë. Milan dhe Sasha jetojnë me nënën e tyre në Miami që prej vitit 2023.