Një 39-vjeçare nga Skocia ka treguar historinë dramatike se si humbi këmbën pasi shkeli aksidentalisht mbi një biskotë për qen. Jayme Stephen, e diagnostikuar me diabet që në moshën 7-vjeçare, tha për BBC Scotland se gjithçka nisi pasi vuri re një mavijosje në shputën e këmbës, e shkaktuar nga kokrrat e ushqimit për qen mbi të cilat kishte shkelur.

Pak ditë më vonë, ajo filloi të ndiente dhimbje të forta dhe këmba iu fry deri në trefishin e madhësisë normale. Mjekët zbuluan se gruaja ishte prekur nga sepsa, një infeksion i rëndë që po përhapej me shpejtësi në organizëm. 39-vjeçarja u dërgua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua tre operacioneve të mëdha brenda pesë ditësh për t’i shpëtuar jetën.

Mjekët fillimisht hoqën indet e nekrotizuara nga këmba, por më pas konstatuan se infeksioni ishte përhapur në mënyrë të pakontrollueshme dhe vendosën amputimin e këmbës. Jayme tregoi se diabeti kishte vite që i kishte shkaktuar humbje ndjeshmërie në këmbë, por nuk e kishte imagjinuar kurrë se një incident kaq i vogël mund të përfundonte në amputim. Ajo tha se tashmë po përballet edhe me pasojat psikologjike të humbjes së gjymtyrës, ndërsa shpreson t’i rikthehet një ditë jetës aktive që bënte më parë.