Yayoi Kusama, një nga figurat më të njohura dhe më të dallueshme të artit bashkëkohor japonez, është ndarë nga jeta në moshën 97-vjeçare. Vdekja e saj ndodhi më 14 gusht në Tokio, por u njoftua më 27 gusht nga fondacioni që mban emrin e artistes.
E lindur në vitin 1929 në Nagano, Kusama nisi që në fëmijëri të përdorte në vizatimet e saj pika dhe motive të përsëritura, të cilat më vonë u kthyen në shenjën e saj dalluese artistike. Pas studimeve për pikturë në Kioto, ajo u largua nga Japonia në vitin 1957 dhe u vendos në Shtetet e Bashkuara, fillimisht në Seattle dhe më pas në Nju Jork.
Gjatë viteve ’60 u bë një nga figurat më origjinale të skenës avangardiste amerikane, duke realizuar performanca publike që trajtonin tema si lufta, pacifizmi dhe të drejtat civile. Në vitin 1973 u rikthye në Japoni dhe zgjodhi të jetonte vullnetarisht në një spital psikiatrik në Tokio, pa ndërprerë aktivitetin e saj krijues.
Suksesi i saj ndërkombëtar u rrit veçanërisht në dekadat e fundit, falë skulpturave në formë kungulli dhe instalacioneve të famshme Infinity Mirror Rooms, të ndërtuara me pasqyra, drita dhe përsëritje të pafundme vizuale. Në vitin 2016 revista Time e përfshiu mes 100 njerëzve më me ndikim në botë, ndërsa në vitin 2019 një prej veprave të saj nga seria Infinity Nets u shit për afro 8 milionë dollarë. Në vitin 2017, Tokio i kushtoi një muze të posaçëm, duke vulosur vendin e saj në historinë e artit bashkëkohor.



