I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë psikologu klinik, Foni Ilia. Ai ka folur më shumë rreth marrëdhënieve dhe tradhtive.
I pyetur se sa herë mund të dashurojë një njeri gjatë jetës së tij, Foni tha se ‘ne kemi mundësi të dashurojmë shumë herë’.
Psikologu klinik habiti kur tha se ka njerëz që e pëlqejnë dhimbjen e dashurisë.
Pjesë nga intervista:
Sa herë mund të dashurojë një njeri gjatë jetës së tij?
Njeriu mund të dashurojë edhe një herë, por mund të dashurojë edhe disa herë. Varet si i flet vetes. Nëse ti i thua që nuk ka si ky dhe kot sa të shoh majtas e djathtas, aty ke mbaruar, ti je frymor. Por ne kemi mundësi të dashurojmë shumë herë.
A ka njerëz që i pëlqen dhimbja e dashurisë?
Po, ka. Në momente të caktuara, ka. Por kjo nuk do të thotë që ne të jemi gjithmonë ata dëshpërakët, ata qaramanët, që duhet të merremi gjithmonë me këtë. Sepse kjo është humbje e besimit, që nuk ka njeri tjetër të më dojë. Me statistika është shumë e bukur, ne na takon afro 1 milion e gjysmë njerëz në këtë botë që na përkasim ne. Puna është se ku do ta gjejmë ne, si do ta gjejmë ne?! Ka njerëz që punojnë në mënyrë selektive, zgjedhin, bëjnë oferta. Por njeriu mund të dashurojë shumë herë. Edhe në moshë madhore mund të dashurojë, 80 vjeç. Dashuria mund të mos ketë atë çmendurinë e një 16-vjeçari apo 20-vjeçari, por kur dashurohemi, ata që kanë bërë fotografime me anë të aparateve të trurit, është njësoj sikur kemi marrë kokainë. Ndizen të njëjtat vatra sikur ne kemi marrë drogë.




