Një grua i bëri homazhe qenit të saj “të dashur” XL Bully, pasi ai kafshoi për vdekje babain e të dashurit të saj në kopsht.
62-vjeçari Keven Jones pësoi humbje të rëndë gjaku pasi u kafshua të paktën dy herë nga qeni, i cili quhej Cookie. Juristët dëgjuan se Chanel Fong, e cila pretendohet se e zotëronte qenin së bashku me djalin e Kevenit, Josh Jones, ndodhej brenda shtëpisë së saj në Wrexham, në veri të Uellsit, në atë kohë.
33-vjeçarja u tha policëve se dëgjoi Kevenin të thoshte: “Cookie, hiqmu sipër”, pasi ai kishte hyrë në kopsht.
Pas kësaj ngjarjeje tragjike, e cila ndodhi në maj 2022, përpara se të hynte në fuqi ndalimi i qenve XL Bully, qeni u eutanazua.
Në Gjykatën e Kurorës në Caernarfon u tha se Fong më vonë kishte shkruar në Facebook:
“Cookie nuk e sulmoi Kevenin. Ai është qen i madh dhe luante shumë ashpër.” Ajo gjithashtu dyshohet se kishte thënë se qeni mashkull “nuk është aspak agresiv” dhe se “thjesht mendon se është ende një këlysh i vogël”.
Fong thuhet se kishte shtuar: “Pusho në paqe, Cookie-Doe im i dashur dhe pak budalla”
Juristët dëgjuan se Keven kishte qenë në gjendje të keqe shëndetësore dhe në kohën e vdekjes së tij ishte i varur nga droga. Prokurori Mark Connor tha se ai gjithashtu merrte metadon me recetë dhe ilaçe që hollojnë gjakun.
Gjykata dëgjoi se qeni tjetër i Fong, një femër e quajtur Rogue, ishte në periudhën e çiftëzimit, gjë që mund të kishte shkaktuar probleme. Patologu i Home Office, Dr Matthew Lyall, tha se Keven peshonte rreth 63.5 kg dhe kishte drogë në organizmin e tij në momentin e vdekjes.
Ai shtoi: “Ka shumë gjasa që vdekja të ketë ndodhur brenda pak minutash.”
Fong ka mohuar se ishte pronarja ose personi përgjegjës për qenin XL Bully të rrezikshëm dhe jashtë kontrollit, i cili shkaktoi plagë që çuan në vdekjen e Kevenit. Partneri i saj – djali i Kevenit – nuk ndodhej në shtëpi në atë kohë. Gjykimi vazhdon.


