Regjisori Taika Waititi ka ndarë një rrëfim emocionues për mikun dhe bashkëpunëtorin e tij të ndjerë, Sam Neill, duke zbuluar mesazhin e fundit që mori prej aktorit pak kohë para ndarjes së tij nga jeta.
Sipas Waititit, komunikimi i fundit mes tyre daton më 4 prill, kur Sam Neill e përgëzoi për blerjen e një studioje filmike në Zelandën e Re.
Regjisori kujtoi se aktori kishte zakon ta telefononte ose t’i shkruante shpesh, jo për ndonjë arsye të veçantë, por thjesht për t’u siguruar që ai ishte mirë.
“Ai ishte një njeri shumë i kujdesshëm dhe i dashur, që donte vetëm t’i shihte të lumtur njerëzit që i donte”, u shpreh Waititi.
Duke folur për humbjen e mikut të tij, regjisori tha se reagimet e shumta të kolegëve dhe fansave pas vdekjes së Sam Neill dëshmojnë ndikimin e madh që ai pati te njerëzit gjatë jetës së tij.
Sipas tij, aktori la pas jo vetëm një karrierë të suksesshme, por edhe kujtime të bukura te të gjithë ata që patën fatin ta njihnin.
Edhe aktori Julian Dennison, i cili interpretoi përkrah Sam Neill në filmin “Hunt for the Wilderpeople”, foli me shumë emocion për marrëdhënien e tyre.
Ai tregoi se Neill e kishte bërë të ndihej i sigurt në hapat e parë të karrierës, duke e trajtuar gjithmonë si një vëlla më të madh dhe pa e bërë kurrë të ndiente peshën e famës së tij.
Ndërkohë, aktorja Rachel House e përshkroi Sam Neill si një nga njerëzit më të mirë që kishte njohur ndonjëherë, duke pranuar se mungesa e tij do të ndihet për një kohë të gjatë.
Këto kujtime u ndanë në kuadër të 10-vjetorit të filmit “Hunt for the Wilderpeople”, një nga produksionet më të suksesshme të kinemasë së Zelandës së Re, ku Sam Neill dha një nga interpretimet më të vlerësuara të karrierës së tij.




