Një studim mbi tërheqjen fizike është bërë viral në rrjetin social X, pasi mijëra përdorues kanë publikuar rezultatet e një testi që pretendon të identifikojë “tipin” e tyre ideal të partnerit. Anketa është krijuar nga studiuesi i psikologjisë Spencer Greenberg, i cili u kërkon pjesëmarrësve të vlerësojnë një numër të madh fytyrash. Në fund, sistemi gjeneron një raport të personalizuar mbi preferencat e tyre.

Sipas Greenberg, interesi ka qenë aq i madh, sa serverët që mbështesin studimin kanë pasur vështirësi të përballojnë fluksin e përdoruesve. Postimi fillestar, i publikuar më 30 korrik, është parë mbi 2 milionë herë, ndërsa mijëra persona kanë shpërndarë rezultatet e tyre në X. Raporti përfshin disa kategori. Seksioni “Your Main Type” (“Tipi juaj kryesor”) paraqet katër fytyra që, sipas analizës, përfaqësojnë më së miri preferencat romantike të pjesëmarrësit.

Një tjetër kategori, “Hidden Gem” (“Perla e fshehur”), tregon personin që përdoruesi e ka vlerësuar shumë më lart se mesatarja e pjesëmarrësve të tjerë, ndërsa seksioni “Unpopular Opinion” (“Mendim jopopullor”) evidenton fytyrën që ai ose ajo e ka pëlqyer dukshëm më pak se shumica.

Raporti përfshin gjithashtu statistika mbi nivelin e përzgjedhjes së përdoruesit, si edhe një vlerësim nëse shijet e tij konsiderohen më shumë “të zakonshme” apo “unikale”. Megjithëse testi është krijuar si pjesë e një studimi psikologjik, shumica e postimeve virale janë përqendruar te krahasimi i rezultateve me miqtë dhe komentet humoristike mbi përputhjen e analizës me preferencat reale.