Aktorja e famshme, Blake Lively, ka marrë një tjetër goditje në betejën ligjore me Justin Baldonin, pasi gjykata ka refuzuar kërkesën e saj për të paraqitur prova shtesë lidhur me shpenzimet ligjore të aktorit.
Vendimi vjen vetëm pak ditë pasi dy palët arritën një marrëveshje që mbylli konfliktin e tyre të gjatë në gjykatë.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se, aktorja kishte kërkuar të shtonte dokumente të reja për të mbështetur pretendimin se duhet të përfitojë kompensim financiar dhe mbulim të tarifave ligjore. Por gjyqtari nuk e pranoi kërkesën, duke mos lejuar materiale të tjera në dosjen e çështjes.
Mosmarrëveshja mes dy protagonistëve të filmit “It Ends With Us” ka qenë një nga çështjet më të komentuara në Hollywood gjatë muajve të fundit. Lively pretendonte se ishte “pala fituese” në padinë për shpifje prej 400 milionë dollarësh të ngritur nga Baldoni dhe kërkonte jo vetëm rimbursim të kostove ligjore, por edhe dëmshpërblime shtesë.
Nga ana tjetër, Baldoni kishte ngritur kundërpadi edhe ndaj bashkëshortit të saj, Ryan Reynolds, si dhe ndaj gazetës “The New York Times”, por gjykata e hodhi poshtë çështjen.
Edhe pse marrëveshja mes palëve nuk përfshiu pagesa financiare, të dy kampet vazhdojnë ta interpretojnë rezultatin ndryshe. Ekipi i Lively e konsideron atë një fitore morale dhe ligjore, ndërsa përfaqësuesit e Baldonit insistojnë se marrëveshja ishte në favor të tyre.
Konflikti nisi pasi Lively akuzoi Baldonin për ngacmim seksual dhe sjellje hakmarrëse gjatë bashkëpunimit të tyre, akuza që aktori i ka mohuar vazhdimisht. Megjithatë, çështja e tarifave ligjore ende nuk është mbyllur përfundimisht dhe pritet vendimi final i gjykatës.



