Një ngjarje tragjike është regjistruar në Brazil, ku një grua 72-vjeçare ka humbur jetën pasi ra nga shkallët gjatë zbritjes nga një avion në aeroportin Congonhas të São Paulos. Sipas mediave lokale, e moshuara kishte udhëtuar me fluturimin LA3785 të kompanisë Latam Airlines, nga qyteti Ribeirão Preto drejt São Paulos. Aksidenti ndodhi menjëherë pas mbërritjes së avionit, teksa pasagjerët po zbrisnin.
Gruaja mori ndihmën e parë në vendngjarje nga ekipet e emergjencës dhe më pas u transportua me urgjencë në spitalin privat “Alemao Osvaldo Cruz” në São Paulo. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo ndërroi jetë dy ditë pas aksidentit. Raportimet paraprake bëjnë me dije se 72-vjeçarja kishte pësuar një hemorragji në kafkë si pasojë e rrëzimit, çka rezultoi fatale për jetën e saj.
Në një reagim zyrtar, Latam Airlines Brazil shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës dhe theksoi se kompania kishte ndjekur të gjitha procedurat e sigurisë të parashikuara për raste të tilla.
“Pasagjerja mori ndihmë të menjëhershme nga ambulanca dhe u transportua në spital, e shoqëruar nga një punonjës i kompanisë, i cili qëndroi pranë saj deri në mbërritjen e familjarëve. Latam shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së pasagjeres dhe i shpreh ngushëllimet familjes së saj”, thuhet në deklaratë. Aeroporti Congonhas është një nga aeroportet më të ngarkuara të Brazilit dhe një nyje e rëndësishme për fluturimet e brendshme. Autoritetet pritet të hetojnë rrethanat e plota të incidentit për të përcaktuar se si ndodhi aksidenti fatal.



