Një ngjarje tragjike ka tronditur Staffordshire në Britaninë e Madhe, ku një foshnje vetëm tre muajshe ka humbur jetën ndërsa ndodhej në kamping me familjen pranë një liqeni peshkimi në Great Wyrley. Shërbimet e emergjencës u thirrën rreth orës 08:45 të së shtunës, pas raportimit se fëmija kishte pësuar arrest kardiak. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të urgjencës dhe ambulancës ajrore, foshnja u shpall e vdekur në vendngjarje.

Policia ka arrestuar nën dyshimin për vrasje dy burra, të moshës 42 dhe 18 vjeç, si dhe dy gra, 30 dhe 20 vjeç. Të katërt janë liruar me kusht ndërsa hetimet vazhdojnë.

Hetuesit kanë bërë të ditur se rrethanat e vdekjes ende nuk janë përcaktuar dhe se hetimi ndodhet në një fazë shumë të hershme. Policia e ka cilësuar ngjarjen si një incident të izoluar dhe u ka kërkuar qytetarëve të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara.