Një çift britanik ka realizuar një transformim të jashtëzakonshëm, duke kthyer një kishë 160-vjeçare të braktisur në një shtëpi luksoze pushimi. Geoff dhe Julie Bolam e blenë Old Mission Church në ankand për 175 mijë paund, në vitin 2018. Godina ndodhet në fshatin Paxford, në rajonin Cotswolds të Gloucestershire.

Sot, pas një investimi të madh dhe tre vitesh punime, prona vlerësohet në rreth 700 mijë paund. Historia nisi krejt rastësisht, pasi çifti kishte shitur shtëpinë ku kishte jetuar prej vitesh dhe po kërkonte një vilë të vogël në fshat për ta dhënë me qira për turistët. Një mik u tregoi për shitjen e kishës në ankand dhe Geoff vendosi ta vizitonte.

“Mendova se ishte interesante dhe se ndoshta mund të funksiononte”, ka rrëfyer ai për Daily Mail. Pasi bëri disa skica dhe hodhi idetë e para në një zarf, çifti dorëzoi ofertën më të lartë dhe siguroi pronën. Ndërtesa ishte inauguruar në 1866, fillimisht si shkollë për fëmijë, përpara se të shndërrohej në vend kulti. Kur u ble nga çifti, ajo ishte në gjendje të rënduar dhe kërkonte një ndërhyrje të plotë.

Për ristrukturimin u shpenzuan rreth 370 mijë paund, ndërsa punimet zgjatën tre vjet. Projekti u përball edhe me probleme strukturore, kufizime për shkak të statusit të ndërtesës historike dhe një sërë procedurash administrative, pasi duhej ndryshuar destinacioni i saj nga kishë në banesë. Nëse kërkesa do të refuzohej, Geoff dhe Julie kishin menduar ta kthenin ndërtesën në një galeri arti.

Rezultati përfundimtar është shumë larg kishës së braktisur të vitit 2018. Sot, Old Mission Church është një akomodim luksoz me dy dhoma gjumi, njëra prej tyre e ndërtuar në formë të varur, ku ndërthuren mobilimi modern, kuzhina bashkëkohore dhe detajet viktoriane me navatat e mëdha të ndërtesës së vjetër. Që nga hapja në 2021, prona ka regjistruar 276 rezervime dhe 750 vizitorë, mes tyre edhe 213 qen, duke marrë vlerësime me pesë yje. Një fundjavë kushton rreth 850 paund në sezonin e ulët dhe deri në 1.100 paund në kulmin e sezonit. “Mendojmë se tani kisha ka përpara edhe rreth 100 vite jetë. Dhe për këtë jemi mjaft krenarë”, tha Geoff Bolam.