Këngëtari i famshëm, Drake, ka tronditur industrinë muzikore me publikimin surprizë të tre albumeve brenda një nate, duke shkaktuar probleme në “Spotify” dhe “Apple Music” nga fluksi i madh i dëgjimeve.
Dy aplikacionet u bllokuan nga fluksi i madh i klikimeve. Reperi kanadez publikoi projektet “ICEMAN”, “Habibti” dhe “Maid of Honour”, me gjithsej 43 këngë, ndërsa fansat raportuan bllokime dhe vonesa në platformat muzikore vetëm pak minuta pas lançimit.
Vëmendje të madhe ka marrë edhe një nga këngët e albumit “Habibti”, ku përfshihet artistja shqiptare Qendresa. Emri i saj u bë menjëherë viral në “TikTok” dhe “Instagram”, me fansat shqiptarë që e cilësuan bashkëpunimin si një moment historik për muzikën shqiptare në tregun ndërkombëtar.
Sipas mediave rozë dhe postimeve që po qarkullojnë në rrjet, projektet e reja shënojnë rikthimin më të madh solo të Drake pas përplasjes së bujshme me Kendrick Lamar.
Albumet po dominojnë trendet globale në “Spotify”, “Apple Music” dhe “YouTube”, ndërsa hashtagët me emrin e Drake kanë marrë miliona klikime brenda pak orësh.



