Mbrëmë në emisionin “Goca dhe Gra”, Rudina Dembacaj i ka bërë një intervistë të rrallë bashkëshortit të saj, Mark Frroku. Gjatë një shëtitje me makinë nëpër Tiranë, aktorja e pyeti atë për politikën, pasionet e tij dhe jetën familjare.

Në një moment gjatë intervistës, Rudina u shpreh se për momentin janë në një ‘moment delikat familjar’ dhe e pyeti se ‘çfarë i mban akoma bashkë?’.

Mark Frroku u përgjigj se është ‘dashuria dhe kjo nuk diskutohet’.

Pjesë nga intervista:

Rudina: Jemi unë dhe ti, e katër fëmijë në martesën tonë. Sa e vështirë është për ty, si burrë që ke një karakter shumë të fortë, nga ana tjetër ke një zemër shumë të ndjeshme dhe ke një ndërgjegje shumë të drejtë. Këto ti them me plot gojën. Sa e vështirë është me qenë ti shtylla e ‘kosherës’ tënde?

Marku: Nuk është e lehtë. Të gjithë ata që më dëgjojnë e kuptojnë shumë mirë se sa e vështirë është. Por me dashuri, me korrektësi, me disiplinë, çdo gjë arrihet.

Rudina: Ne jemi akoma në një moment delikat familjar, jo unë dhe ti, por normale duke qenë një familje e bashkuar ka problemet e veta, ka shpërthime, ka pendesa, ka diskutime, por ne vazhdojmë të jemi në një moment delikat. Ça mendon ti se na mban bashkë akoma?

Marku: Puna e parë do të them për të gjithë dhe ty po ta përsëris, ne njerëzia jemi të gjithë në një varkë, dikush e pohon dhe dikush e mohon, por të gjithë jemi në një varkë. Dikush më shumë e dikush më pak ka ato problemet e veta familjare, shoqërore, ekonomike dhe kështu me radhë. Mos të bëhem sikur jemi mirë nga të gjitha anët, është vaj, absolutisht asgjë nuk është vaj, të gjitha duan mund, punë. Në përgjithësi jeta luftë është.

Rudina: Nuk më ktheve përgjigje se çfarë na mban ne bashkë pas gjithë këtyre, se nuk janë gjëra të vogla, janë tërmete.

Marku: Ne të dyve na mban dashuria, kjo nuk diskutohet.