Një ngjarje e rëndë ka tronditur Springfieldin në Missouri, ku 15-vjeçari Miles Young humbi jetën pasi ra në një kurth të organizuar. Sipas hetimeve, i mituri doli nga shtëpia pasi besonte se do të takonte një vajzë, por gjithçka rezultoi të ishte një skemë e planifikuar për ta nxjerrë në pritë.

Autoritetet amerikane kanë arrestuar dy 18-vjeçarë, Yefry Archaga dhe Praize King, të cilët akuzohen për vrasje të shkallës së parë. Sipas dokumenteve të hetimit, vajza e përfshirë në skemë e mori Miles me makinë në orët e para të mëngjesit, ndërsa më pas rruga iu bllokua nga automjeti ku ndodheshin të dyshuarit.

Adoleshenti tentoi të largohej me vrap, por sipas dëshmive u ndoq dhe u qëllua. Një mik i tij, që po e ndiqte lëvizjen përmes telefonit, e gjeti më pas të shtrirë në tokë me plagë të rënda. Miles u transportua në spital, por nuk mundi t’i mbijetonte plagës në kraharor.

Hetuesit dyshojnë se sulmi mund të ketë qenë i lidhur me motive hakmarrjeje për një çështje të mëparshme, ndërsa dy të arrestuarit ndodhen në paraburgim në pritje të procesit gjyqësor. Rasti ka tronditur opinionin publik në SHBA.