Një influencuese australiane, e cila e gjeti veten në listën e Forbes për të pasurit nën moshën 30 vjeç në vitin 2025, ia ka atribuuar stër-stërgjyshes së saj, Mimi, frymëzimin.
Është fjala për Sophia Begg, e cila ka nisur që në moshën 16-vjeçare të krijojë përmbajtje për në rrjetet sociale. Ajo e transformoi hobin e saj të adoleshencës në një perandori biznesi fitimprurës. E tani në moshën 22-vjeçare ajo po korr frytet.
Megjithatë, e reja pranon se nuk ka qenë gjithmonë e lehtë pavarësisht se fitoi çmimin “TikTok Business of the Year” për markën e saj të veshjeve, “All for Mimi”, vitin e kaluar. Marka e mori emrin nga stër-stërgjyshja e saj.
“Duke pasur këto tituj ose çmime, jam kaq mirënjohëse dhe nderuar, por nuk e ndryshojnë atë që jam. Kështu që do të vazhdoj të postoj gjithmonë veten time të vërtetë dhe autentike”, ka thënë Sophia me modesti për “news.com.au”.
Në fakt, 22-vjeçarja më parë luftonte me dismorfi të rëndë trupore, të cilën ia doli t’a mbante të fshehur ndërsa audienca e saj rritej me shpejtësi.
“Kjo ndikoi në çdo aspekt të jetës sime, dhe në rastin më të keq, më la të shtrirë në shtrat dhe të paaftë për të dalë nga shtëpia. E nëse dilja, isha plotësisht e mbuluar, madje edhe në verë”, kujton e reja.
Për pasojë, ajo iu nënshtrua ndihmës profesionale, diçka që ajo e përshkruan si ‘gjëja më e mirë që kam bërë ndonjëherë’.
Sophia u dha edhe një këshillë ndjekësve të saj më të rinj që përballen me pasiguritë e tyre:
“Universi ju mbështet, dhe mos harroni se refuzimi është ridrejtim, prandaj jini vetvetja gjithmonë, pavarësisht gjithçkaje”.
Mediat e huaja shkruajnë se këtë verë, Sophia ka shijuar kohën në Londër, Francë dhe Spanjë duke promovuar markën e saj, e cila vazhdon të forcohet gjithnjë e më shumë. Së fundmi, ajo është bërë një yll në kopertinën e revistës së njohur, “Glamour”, teksa po përgatitet të lançojë “Down Under”.
“Të gjitha netët pa gjumë, lotët, guximi, nxitimi, dyshimi dhe grika nga dështimi. Ky vit më shtyu, më testoi dhe më mësoi shumë”, është mesazhi frymëzues që e reja ka ndarë përmes një video në rrjetet sociale.
Sipas saj, nuk besonte se do të ishte pjesë e listës së Forbes, veçanërisht jo në moshën 21 vjeç.
“Nëse ke një ëndërr, ndiqe atë. Mund të jetë e vetmuar, e frikshme, e vështirë, rraskapitëse, por të premtoj se gjithçka do të shpërblehet”, ka thënë e reja.
Ndërkohë ndjekësit e saj e komplimentojnë për arritjet që ka bërë:
“Je një frymëzim për të gjitha vajzat e reja me një ëndërr. Mbretëreshë kaq e merituar”.
“Vajza që më frymëzoi të filloja videot e mia të modës në TikTok. Më pëlqen shumë të të shoh të rritesh dhe të arrish qëllimet e tua. Të duam Sophia”, i komenton një tjetër ndjekës në rrjetet sociale.




