Ish-finalisti i “Big Brother VIP 5”, Armir Shahini, është rikthyer pranë familjes së tij, duke i dhënë fund aludimeve për një krisje në marrëdhënien me bashkëshorten.
Në një video të ndarë në “Instagram”, ai shfaqet në një moment emocional duke përqafuar vajzën e tij, ndërsa vëmendjen e ndjekësve e mori menjëherë edhe prania e partneres së tij, Rabea Shahini, e cila kishte qenë në qendër të komenteve gjatë gjithë eksperiencës së tij në reality-show.
Pamjet tregojnë një atmosferë të ngrohtë dhe pa tensione mes çiftit. Ata shfaqen të afërt dhe madje shkëmbejnë edhe një puthje, duke hedhur poshtë zërat për probleme në martesë.
Edhe Rabea reagoi publikisht, duke postuar një “selfie” krah Mirit, ku të dy duken të buzëqeshur dhe të qetë. “Ju përshëndesim”, shkroi ajo, duke e shoqëruar postimin me një emoji zemre.
Në sfond dëgjohet kënga e West Side Family, “Në krahët e tua do jem”, një detaj që u interpretua si një mesazh i qartë për harmoninë mes tyre.
Ky ribashkim vjen pak ditë pasi Miri kishte sqaruar publikisht distancën e perceptuar nga publiku gjatë finales, duke theksuar se mungesa e bashkëshortes nuk lidhej me ndonjë konflikt, por me angazhimet e saj në Gjermani.
Kujtojmë se ai arriti deri në finalen e madhe të spektaklit, duke u renditur në vendin e dytë. Tashmë, me postimet e fundit, duket se çifti ka lënë pas çdo zhurmë mediatike dhe po shijon momentet familjare larg kamerave.





