Një padi është ngritur kundër producentit të “Survivor”, Ajun Ilixhalit, nga Stavros Floros, i cili u plagos rëndë disa muaj më parë pas një aksidenti gjatë reality show-t, që rezultoi në amputimin e njërës prej këmbëve të tij. Në padinë e ngritur në Gjykatën e Qarkut Miami-Dade, ai kërkon 100 milionë dollarë dëmshpërblim.

Aksidenti ndodhi më 11 maj, kur Floros u godit nga helika e një varke, ndërsa po peshkonte me shtizë në det pranë Santo Domingos. Si pasojë, këmba e tij e majtë u amputua pjesërisht, ndërsa e djathta u plagos rëndë. Ai qëndroi gjithsej 61 ditë në një spital në Miami, ku iu nënshtrua disa operacioneve.

Sipas TMZ, 22-vjeçari pretendon se producentët kishin projektuar të gjithë formatin e shfaqjes duke u kërkuar konkurrentëve të peshkonin me shtizë në det të hapur. Megjithatë, ai thotë se në zonën ku zhvilloheshin xhirimet kishte trafik të dendur të anijeve turistike. Floros pretendon gjithashtu se nuk kishte anije sigurie, zona të mbrojtura apo shenja të përshtatshme paralajmëruese, pavarësisht incidenteve të mëparshme që, sipas tij, pothuajse kishin përfunduar në tragjedi dhe madje edhe në humbje jete në të njëjtat ujëra.

“Mora pjesë në një reality show dhe përfundova vetëm me një këmbë në moshën 22-vjeçare”. Në një deklaratë për Daily Mail, Stavros Floros tha: “Mora pjesë në një reality show dhe përfundova vetëm me një këmbë në moshën 22-vjeçare. Dua që njerëzit ta dinë se nuk u kujdesën për ne.” Ai shtoi: “Shpresoj që ky rast t’i frymëzojë njerëzit që po përballen me ndonjë vështirësi dhe t’i bëjë të ndihen se nuk janë vetëm.”