Qëndrimi ulur ose shtrirë për më shumë se 30 minuta rresht mund të lidhet me një rrezik më të lartë të vdekjes nga kanceri, sipas një studimi të realizuar nga studiues të Universitetit të Glasgow në bashkëpunim me universitete të tjera. Hulumtimi, i publikuar në revistën PLOS Medicine, rikthen në vëmendje pasojat e sedentarizmit dhe ndikimin që periudhat e gjata pa lëvizje mund të kenë në shëndet.

Studiuesit analizuan të dhënat e më shumë se 91 mijë personave, të ndjekur mesatarisht për rreth 12 vjet, nga databaza britanike UK Biobank. Analiza e zakoneve të tyre të përditshme tregoi se periudhat e vazhdueshme të pasivitetit, mbi 30 minuta, shoqëroheshin me rritje të rrezikut për vdekje nga kanceri. Sipas të dhënave, rreziku rritej edhe më tej sa më gjatë të vazhdonte qëndrimi pa lëvizur.

Në veçanti, çdo orë shtesë sedentarizmi, përtej periudhës fillestare prej 30 minutash, lidhej me një rritje prej rreth 10% të rrezikut të vdekjes nga kanceri. Studiuesit theksojnë se bëhet fjalë për një lidhje të evidentuar në të dhëna dhe jo për një përfundim se qëndrimi ulur shkakton drejtpërdrejt kancerin. Pavarësisht gjetjeve, studiuesit nënvizojnë se situata mund të përmirësohet përmes ndryshimeve të thjeshta në rutinën e përditshme.

Ndërprerja e periudhave të gjata të qëndrimit ulur me një aktivitet të lehtë, si ngritja në këmbë dhe ecja për disa minuta, mund të ketë efekt mbrojtës. “Të dhënat tona tregojnë se qëndrimi ulur për më shumë se 30 minuta rresht lidhet veçanërisht me një rrezik më të lartë të kancerit”, shpjegoi profesor Frederick Ho, drejtues i studimit. Sipas tij, një lajm pozitiv është se koha e kaluar ulur mund të ndërpritet edhe me një aktivitet shumë të thjeshtë. “Lajmi i mirë është se ndërprerja e kohës së kaluar ulur me një aktivitet të thjeshtë, si një shëtitje e shkurtër, mund të ketë efekt mbrojtës”, tha Ho.

Studiuesit vërejnë se rekomandimet shëndetësore zakonisht fokusohen te aktiviteti fizik me intensitet të moderuar ose të lartë, por rezultatet e këtij studimi sugjerojnë se edhe aktiviteti i lehtë nuk duhet nënvlerësuar. Kjo mund të jetë veçanërisht e rëndësishme për personat që kalojnë shumë kohë ulur gjatë ditës, pasi edhe një ndryshim i vogël në rutinë mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt një stili jetese më aktiv.